Qeveria e Republikës së Kosovës, që drejtohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar që të dërgojë punëtorët e arsimit e ata shëndetësorë për vaksinim në Shqipëri, meqë Edi Ramës i kanë mbetur vetëm rezerva të vaksinës kineze.
Ministri i Shëndetësisë së qeverisë së Kosovës, Arben Vitia ka thënë se Kosova nuk mund të përdorë vaksina që nuk janë certifikuar nga agjencia e barnave të Bashkimi Europian.
Vitia tha se procesi i vaksinimit të mësuesve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi nuk ka më sasi të vaksinave “AstraZeneca” dhe ”Pfizer” në Shqipëri.
Megjithatë një situatë të tillë po e sheh ndryshe autori i emisionit televiziv “Prizma” që transmetohet në T7, Dritan Dragusha.
Dragusha përmes një reagimi në profilin e tij ka thënë se Qeveria e Kurtit e ka refuzuar ndihmën e Shqipërisë për vaksina, jo pse bëhet fjalë për vaksinë kineze, por se ato po dhurohen nga Edi Rama si kundërshtari i vetëm politik i Kurtit.
“Vaksinat kineze nuk u pranuan nga Kryeministri, jo se Kina nuk e ka njohur Kosovën, por se ato u ofruan nga kundërshtari i vetëm aktual politik i tij”, ka shkruar Dragusha.
Raportet mes Kurtit dhe Edi Ramës s’kanë qenë të mira gjatë kohës kur Kurti kishte ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Kosova deri tani ka arritur të sigurojë vetëm 24 mijë vaksina. Nuk dihet se kur do të arrijnë edhe sasi të tjera, derisa vendi nga sot është në mbyllje dhe me orë policore si pasojë e shifrave të larta të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19.