Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj Karlheinz Kargus, i cili po akuzohet se pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar bashkëshorten e tij, S.K.
Një vendim i tillë është marr nga gjykatësi Eroll Gashi pasi që i akuzuari Kargus mungoi të mërkurën në seancën fillestare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit Gashi, i akuzuari Kargus dhe mbrojtësi i tij, avokati Naim Aliu kanë qenë të ftuar përmes procesverbalit të datës 16 dhjetor 2021 për seancën e sotme, mirëpo të njëjtit nuk e kanë arsyetuar mungesën.
Meqë nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty, ndërsa e radhës mbetet e pacaktuar.
Ndryshe, pranishëm në këtë seancë ishte prokurori Rrahim Podvorica.
Sipas aktakuzës së përpiluar në tetor 2018-ën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Karlheniz Kargus ngarkohet se më 30 gusht 2018, pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten, tani të dëmtuarën S.K. të njëjtën e kishte sulmuar fizikisht në banesën e saj, në Fushë Kosovë.
Siç thuhet në aktakuzë i akuzuari fillimisht e kishte ofenduar, pastaj me qëllim, me dashje e kishte sulmuar fizikisht të njëjtën me grushte dhe me këmbë në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit, sipas Kodit që ishte në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prer