Presidenti i Guinea-Bissau, shtet i vogël në perëndim të Afrikës, ka thënë se shumë pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë pas një përpjekjeje për puç.
Presidenti Umaro Cissoko Embalo tha se situata është nën kontroll, duke thënë se kjo përpjekje ishte “sulm i dështuar kundër demokracisë”, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Të shtënat shpërthyen afër një ndërtese qeveritare të martën në kryeqytetin Bissau, ku raportohet se presidenti ishte duke marrë pjesë në një takim të kabinetit. Thuhet se ushtarët i kanë ndaluar presidentin dhe ministrat.
Sipas raportimeve nga terreni, persona të armatosur rëndë, të paidentifikuar, e sulmuan pallatin qeveritar përderisa Presidenti Embalo ishte duke e takuar Kryeministrin Nuno Gomes Nabiam brenda ndërtesës.
Një burim i sigurisë, i cili nuk deshi të identifikohej, i tha BBC-së se personat e armatosur, të veshur me rroba civile, kanë hapur zjarr dhe se një polic është vrarë.
Udhëheqësit rajonalë të Afrikës Perëndimore e përshkruan incidentin si përpjekje për puç. Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Ende nuk dihet se kush ishin personat e armatosur dhe presidenti nuk dha shifër të saktë të të vrarëve.
Ndryshe, Guinea-Bissau dikur ka qenë koloni e Portugalisë dhe është një ndër vendet më të varfra në botë. Nga viti 1980, në këtë shtet të vogël kanë ndodhur nëntë puçe dhe përpjekje për puç.