Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaDhjetë vjet nga zgjedhja e Atifete Jahjagës presidente

Dhjetë vjet nga zgjedhja e Atifete Jahjagës presidente

Me 80 vota për Kuvendi i Kosovës, më 7 prill të vitit 2011, zgjodhi ish-zëvendësdrejtoreshën e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga, në postin e presidentes.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.

Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, dha betimin para Kuvendit se do të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Në fjalimin e parë para Parlamentit, presidentja Jahjaga u shpreh se kishte vullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë.

Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi miratoi edhe rezolutën, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behxhet Pacolli.

Në këtë marrëveshje ishte përfshirë edhe pajtimi i treshes për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, zgjedhjet presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.

Kush është Atifete Jahjaga?

Atifete Jahjaga u lind më 20 prill 1975, në Gjakovë, ndërkaq shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet në Fakultetin Juridik i kreu në Prishtinë.

Përfundoi edhe studimet në Universitetin Leicester në Angli, certifikimin post-diplomik në menaxhimin policor dhe të së drejtës penale në vitin 2006/07 dhe certifikimin post-diplomik në shkenca kriminalistike në Universitetin e Virxhinias në SHBA.

Karrierën e saj e nisi në Policinë e Kosovës, duke qenë e angazhuar në sektorë të ndryshëm të këtij institucioni, që nga patrullimi e deri te hetuesia, shkruan Insajderi.

Ka kryer edhe trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani dhe Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jahjaga ka ushtruar postin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa një kohë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments