Ju ka ardhur në majë të hundës kollitja e lodhshme? Ka shumë arsye për shkak të të cilave kolla nuk kalon, ua vështirëson funksionimin e përditshëm dhe ua prish kualitetin e jetës.
Sistemi i irrituar i frymëmarrjes për shkak të ftohtit ose gripit – Kolla e vazhdueshme më së shpeshti është pasojë e gripit, e ftohjes ose e ndonjë infeksioni tjetër virusal. Shumica e simptomave të gripit kalojnë në periudhën prej disa ditësh, por kolla mund të zgjasë edhe deri në disa javë, sepse viruset mund të shkaktojnë që rrugët e frymëmarrjes të bëhen të ënjtura dhe shumë të ndjeshme.
Probleme të tjera shëndetësore – Alergjia ose astma janë shkaktar i shpeshtë i kollës. Gripi dhe ftohja mund të përkeqësojnë simptomat e astmës dhe një numër i madh i njerëzve e zbulon që vuan nga astma vetëm pasi që infektohet me grip ose ftohje.
Sëmundja e refluksit gastroezofogal dhe apnea po ashtu mund të shkaktojnë kollë kronike. Fatmirësisht, kjo gjendje është e shërueshme. Vizitoni mjekun nëse vëreni simptomat në vijim:
• Gromësime të shpeshta;
• Thartësirë në stomak;
• Kollitje;
• Pagjumësi;
• Gërhitje të shpeshtë dhe të zëshme;
• Zgjim të shpeshtë gjatë natës;
• Përgjumje gjatë ditës.
Stresi – Stresi kronik ia vështirëson trupit të mbrohet nga gripi dhe ftohja. Për ta mundur kollën e shkaktuar me ftohje dhe grip praktikoni ushtrimet e relaksimit. Sforcimi i tepruar i mendjes dhe i trupit mund t’ju bëjë të sëmurë. Mënyra më e mirë për t’u relaksuar? Flini 7 deri 9 orë çdo natë.
Mungesa e lëngjeve – Kujdes të veçantë duhet t’i kushtoni konsumimit të lëngjeve gjatë gripit dhe ftohjes. Uji, lëngjet dhe supat mund të ndihmojnë te lirimi i rrugëve të frymëmarrjes nga këlbaza, për ç’arsye do ta nxirrni atë më lehtë. Alkooli dhe pijet me kafeinë nuk janë zgjidhje e mirë, sepse mund të shkaktojnë dehidrim, e kundërta e asaj që ju nevojitet kur jeni të sëmurë. Mënyra tjetër për t’i lagështuar rrugët e frymëmarrjes është spreji për hundë.
Përdorimi i tepruar i sprejeve për hundë – Sprejet për hundë mund të ndihmojnë te bllokimi i hundës, por kurrë mos i përdorni më gjatë se 3 ditë. Nëse i përdorni më gjatë simptomat do të jenë edhe më të rënda. Teprica e sprejit mund të dëmtojë membranën e hundës, ajo mund të fryhet dhe të shkaktojë bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe kollitje.
Ajri shumë i thatë ose shumë i lagësht – Ajri i thatë është më i shpeshtë gjatë dimrit, ndërsa mund të shkaktojë koll kronik. Nga ana tjetër, ajri i tepërt i lagësht po ashtu nuk është i mirë, transmeton Koha.net. Lagështia në ajër mund të përkeqësojë simptomat e astmës dhe nxisë grumbullimin e pluhurit, mykut dhe alergjeneve. Lagështia ideale e ajrit të hapësirës në të cilën jetoni është 40 deri 50 për qind.
Infeksionet bakteriale – Nëse rrugët e frymëmarrjes irritohen pas gripit, me siguri bëhet fjalë për ndonjë infeksion bakterial. Bakteret mund të shkaktojnë infeksione të sinuseve, bronkit dhe pneumoni. Nëse keni temperaturë të rritur trupore ndieni dhimbje dhe është e pranishme kolla kronike, me siguri bëhet fjalë për infeksion bakterial. Gjithsesi vizitoni mjekun për t’ua përshkuar antibiotikët përkatës.
Ilaçet për tensionin e lartë – Nëse i merrni ilaçet për rregullimin e nivelit të tensionit të gjakut, rritet rreziku nga krijimi i kollës kronike. Ilaçet për tension të gjakut që mund të përkeqësojnë kollën i takojnë grupit të inhibitorëve ACE. Nëse kolla nuk kalon me javë, ndërsa ju pini ilaçe për uljen e nivelit të tensionit të gjakut, flisni me mjekun për t’ju përshkruar ilaçe të tjera.