Përhapja e shpejtë e variantit Delta të COVID-19 ka prekur edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Aktualisht 28 zyrtarë të tij të infektuar.
Së fundmi janë ndaluar vizitat në burgje, por është një i burgosur i cili ka rezultuar pozitiv me këtë sëmundje. Megjithatë, 90% prej tyre janë të vaksinuar, por edhe 95% e stafit në qendra korrektuese janë të imunizuar.
Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani bën të ditur për KosovaPress se pas përhapjes së madhe të virusit të variantit Delta, kanë ndaluar vizitat familjare për të burgosurit dhe fundjavat në shtëpi për të dënuarit.
“Kemi lëshuar një urdhër operativ për të gjitha qendrat korrektuese, me këtë rast i kemi ndaluar përkohësisht deri me datën 15 shtator, të gjitha vizitat familjare të burgosurve. Kemi ndaluar vikendet në shtëpi të burgosurve, punën jashtë institucioneve dhe ndalimin e vizitave në lokale të veçanta. Por, kemi ndërmarrë disa hapa të tjerë me qëllim që të burgosurit të kenë kontakte me familjarët e tyre në sistemin Skype që funksion në institucionet korrektuese dhe thirrje më të shtuara telefonike që të burgosurit të jenë në kontakt të vazhdueshëm me familjet e tyre”, thekson Selmani.
Bazuar në këtë masa, janë kufizuar transferimet e të burgosurve. Ndërkaq, janë lejuar kontaktet e të paraburgosurve me mbrojtësit e tyre për rastet që janë zhvillim.
Selmani për KosovaPress thotë se 90 për qind e të burgosurve janë vaksinuar deri më tani.
“90 për qind e të burgosurve janë të vaksinuar. Hezitimi i tyre është shumë i vogël, mos të them minimal. Tash kemi vetëm një pjesë të të burgosurve që janë të pavaksinuar, ardhjet e reja meqë çdo ditë pranojmë të burgosur. Por, edhe ata janë në procedurë të aplikimit që të vaksinohen së shpejti. Ndërsa, kemi 95 për qind të stafit të të gjitha institucioneve korrektuese që veç janë vaksinuar”, deklaron ai.
Selmani tregon se numri i të burgosurve të prekur me COVID është minimal, ndërsa i zyrtarëve pak më i lartë por që shton se ë gjithë kanë gjendje stabile.
“Tani për tani kemi vetëm një rast, është vetëm një i burgosur që është me COVID-19, aktualisht po trajtohet. Dhe kemi 28 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të cilët janë pozitiv. Por, gjendja e tyre është e mirë dhe janë duke u trajtuar jashtë spitaleve… Kjo paraqet vështirësi por nuk kemi problem në këtë drejtim sepse kemi kapacitete që të mbulojmë ato zbrazëti që ky staf lë gjatë kësaj periudhe”, bën të ditur Selmani për KosovaPress.
Gjatë këtij viti nuk ka pasur rritje të numrit të të burgosurve të cilët janë transferuar në qendrat korrektuese, megjithatë janë pranuar rreth 200 të burgosur të rinj.
“Ne gjatë kësaj periudhe kemi pranuar diku rreth 200 të burgosur të rinj. Mirëpo lëvizja e tyre vazhdon vazhdimisht, sidomos pjesa e paraburgimit që i caktohet paraburgimi dhe pastaj ndërpritet. Por, nuk ka rritje të burgosurve në institucionet korrektuese. Ne kemi hapësira në institucione edhe për zbatimin e karantinës për të burgosurit që vijnë edhe atyre që lëvizin në gjykata”, njofton zëvendësdrejtori i ShKK-së.
Vaksinimi masiv i të gjithë burgosurve dhe stafit korrektues, ka nisur me 16 korrik. Në gjithë vendin, deri më tani janë vaksinuar 31 e popullatës me të paktën një dozë të vaksinës. Gjatë ditës së djeshme janë dhënë mbi 15 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19.