Tuesday, February 11, 2025
HomeLajme9 shkurti “komplikon” skenën politike, Kurti pak opsione për të krijuar Qeverinë...

9 shkurti “komplikon” skenën politike, Kurti pak opsione për të krijuar Qeverinë përballë partive opozitare që i ofendoi

Albin Kurtit duket se do t’i duhet të gjejë një partner koalicioni nga ana e opozitarëve, të cilët i quajti “hajvanë” pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por pa marrë mjaftueshëm vota që Lëvizja Vetëvendosje të qeverisë e vetme sërish. Opozita ka më shumë vota. Partia Demokratike e Kosovës thotë se nuk do të shkojë në koalicion me LVV-në dhe se do të presë t’i ndërmarrë “hapat e nevojshëm në kohën e duhur” për formimin e qeverisë së re me partitë opozitare. Këtë e pret edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. E diela e 9 shkurtit në Kosovë mori vëmendjen edhe të mediave më të mëdha të botës. The Guardian shkroi se “Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe më pak e nxitur nga nacionalizmi ‘ti je me ne ose kundër nesh’ i Kurtit”.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ashtu siç pritej, por nuk arriti të merrte aq vota sa priti kryeministri Albin Kurti, i cili kërkoi me ngulm edhe një mandat të padiskutueshëm në krye të shtetit.

LVV-ja ka marrë 340,541 vota apo 40.89%, kur janë procesuar 99.53% të vendvotimeve nga qendrat e numërimit, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të përditësuara sot.

Partia Demokratike e Kosovës ka deri tani 183,661 vota, apo 22.05%.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka aktualisht 146,815 vota, apo 17.63%.

Koalicioni AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30 ka 62,111 vota, apo 7.46%.

Sipas rezultateve pothaujse përfundimtare, Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se ndarja e mandateve për partitë shqiptare do të jetë kështu: LVV – 47 deputetë, PDK – 25 deputetë, LDK – 20 deputetë, AAK – 8 deputetë.

Pas një heshtjeje disa orëshe atë natë, Kurti u shfaq pak para mesnatës te selia e partisë së tij. “Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re, Qeverinë Kurti 3”, tha ai para gazetarëve.

Bashkë me disa zyrtarë të partisë, pas mesnatës doli para disa mbështetësve që ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet. Tha se e mposhtën Serbinë, dhe me një gjuhë brutale nuk e ndrydhi mllefin as pas përfundimit të fushatës elektorale kur u vendosi epitete si “materialistë” e “zuzarë” të gjithë atyre që nuk do të votonin që partia e tij të qëndronte më gjatë në pushtet.

Shkoi deri te ofendimi i kundërkandidatëve, të cilët i quajti “hajvanë”.

“E keni pa çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thojshin buxheti i shtetit do të bëhet ma i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepshin premtime për koeficient ma shumë se në programin e tyne. Çfarë hajvanash! Po ka kalu koha e hajvanatit”, tha Kurti duke me një qeshje cinike në fund.

Partitë opozitare, “prapë se prapë kanë humbë” dhe “prapë se prapë kanë me mbetë në opozitë”, tha ai, ndonëse këtë herë do t’i duhet të gjejë një partner koalicioni atje.

Profesori Blerim Latifi tha se “dikush që fiton nuk flet ashtu”, ndërsa analizonte në Pressing në T7 deklaratat e Kurtit.

“Ai që triumfon e ka gjuhën ndryshe. Pse mllefi i Kurtit në fitoren e tij? Sepse ai nuk e ka arritë qëllimin për të cilin ai ka hyrë në këtë kampanjë zgjedhore. Qëllimi i tij ka qenë me e fitu një shumicë të mjaftueshme të votave e cila do t’i mjaftonte që ai vetëm me e kriju qeverinë. Dhe mllefi i tij i sontëm është që ai nuk ia ka arritë këtij qëllimi dhe është një mllef të cilin ai s’mundet me e përmbajtë në kuptimin e asaj që meqenëse nuk e ka arritë atë qëllim, ai duhet me fillu me mendu për një formulë të koalicionit me dikë nëse do me qeverisë, nëse do me qenë në pushtet”, tha ai.

Qeveria e re, e diskutueshme – Hamza tha se “opozita mund ta bëjë”

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza tha në një konferencë për media të hënën se shumica e shqiptarëve “nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë” dhe se do të punojnë që t’ua japin qytetarëve një qeveri të re “për të cilën ka votuar shumica”.

Si partia e dytë, ai paralajmëroi se PDK do t’i ndërmarrë “hapat e nevojshëm në kohën e duhur” për formimin e qeverisë së re, por vetëm pasi të përfundojë përpjekja e LVV-së për ta bërë këtë paraprakisht.

“Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Hamza, i cili më pas i përshkroi procedurat paszgjedhore: “Partisë së parë i takon të provojë t’i krijojë institucionet. Ne këtë procedurë e respektojmë. Nëse nuk mundet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve, mund ta bëjë qeverinë e re”.

Hamza tha se kanë “dallime të mëdha” me LVV-në, duke përmendur edhe ofendimet e Kurtit.

“Ata duan pushtet absolut. Nuk kanë as program dhe gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në studiot televizive për debate. Ata i ofenduan kundërshtarët politikë, e përmes kësaj edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ata nxitën urrejtje, kurse ne bashkim dhe bashkëpunim”.

Kandidati i LDK-së për kryeministër tha në anën tjetër se e respektojnë rezultatin, për të cilin i uroi partitë e tjera, dhe e pranoi që rezultati të cilin e mori partia më të vjetër në vend “s’është i kënaqshëm”, me gjithë rritjen nga zgjedhjet paraprake të vitit 2021.

“Është një rezultat të cilin e respektojmë. Përgjegjësinë për këtë rezultat e marr në tërësi unë, edhe për fushatën, edhe për drejtimin e partisë dhe do t’i japë llogari vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe qytetarëve që kanë votuar për LDK-në”, tha Lumir Abdixhiku në një konferencë për media të dielën në mbrëmje.

Rregullat kushtetuese “janë të qarta” tha kryetari i LDK-së, kur u pyet për koalicionet e mundshme. “I pari është fituesi i zgjedhjeve, ai e ka të drejtën e formimit të qeverisë”.

Rezultati i LDK-së, Abdixhiku tha se u jep “një pozicion prapë opozitar, sipas të gjitha gjasave”, por shtoi se duhet pritur përfundimin e numërimit të të gjitha votave.

“Parimet e LDK-së mbeten të njëjta si para fushatës, ashtu edhe pas fushatës. Në qoftë se populli i Kosovës vendos të na mbajë në opozitë, do të qëndrojmë në opozitë. Dhe i urojmë popullit të zgjedhë mbarë e mirë e të marrë përgjegjësinë për zgjedhjet e bëra”, tha ai.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, e cila garoi në koalicion me Nismën, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, tha të dielën se e gëzon “fakti që opozita i ka fitu këto zgjedhje”.

“Ia uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim që të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë së opozitës në Kosovë”, tha ai në një konferencë për media.

Partitë opozitare, sipas profesorit Blerim Latifi, duhet të bashkohet nëse duan që të mos e lënë Kurtin në pushtet.

“Nëse opozita përnjëmend mendon të mos e lë në pushtet Kurtin, duhet qysh nesër me fillu negociatat e brendshme në mënyrë që me u bashku, në mënyrë që Kurti mos me i përça, mos me e marrë ndonjërin prej tyre, ose deputetë individualë që mundet me i peshku dhe me e kriju një shumicë prej 61 deputetëve dhe me e bë qeverinë”, thotë ai.

Çfarë kanë shkruar mediat perëndimore

Ky proces i rëndësishëm zgjedhor në Kosovë qëndroi në vëmendjen e mediave më të mëdha të botës, gjithashtu.

The Guardian shkroi një pikëpamje mbi situatën e krijuar pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Rezultati zgjedhor, për gazetën britanike shihet si një portë për rivendosjen e marrëdhënieve me Bashkimin Europian.

Gazeta kujton se BE-ja “ka vendosur sanksione që deri më tani i kanë kushtuar një prej vendeve më të varfra dhe më të vogla në Europë rreth 150 milionë euro”.

“Perspektiva e një qeverie të re koalicioni në Prishtinë hap mundësinë e një qasjeje më pak të papajtueshme dhe më pragmatike. Të dyja partitë kryesore të opozitës bënë fushatë për nevojën për t’i përmirësuar marrëdhëniet me partnerët perëndimorë dhe ankthi për izolimin e Kosovës në një moment të rrezikshëm gjeopolitik ishte një nga temat kryesore të zgjedhjeve”.

Guardian thotë se nëse qeveria e re mund të shkojë përtej retorikës së ashpër nacionaliste dhe ta kthejë Brukselin dhe Washingtonin në krah të saj, “kjo do të jetë jashtëzakonisht në interesin e Kosovës”.

“Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe më pak e nxitur nga nacionalizmi ‘ti je me ne ose kundër nesh’ i zotit Kurti”, shkruan ndër tjerash gazeta brianike, pasi përmend “mundësinë për një fillim të ri” pasi BE-ja tashmë ka një shefe të re të punëve të jashtme dhe një të dërguar të ri për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters shkroi gjithashtu se LVV-së “do t’i duhet të negociojë një koalicion me partitë e tjera për ta formuar qeverinë”.

Reuters shkroi se si Kurti gjatë fushatës zgjedhore e ka përjashtuar mundësinë e formimit të ndonjë koalicioni qeverisës “duke thënë se ai nuk do të merrte pjesë në qeveri nëse nuk fiton një shumicë të plotë”.

“Por, të dielën vonë pas shpalljes së fitores, Kurti tha se do ta formojë qeverinë e re pa lënë të kuptohet se kush mund të jetë partneri i mundshëm i koalicionit”, shkroi agjencia ndërkombëtare e lajmeve.

Edhe BBC shkroi për rezultatin e zgjedhjeve, duke treguar, ndër tjerash, se “Kurti ka thënë më herët se nuk do të bashkëpunojë me asnjë nga partitë opozitare”.

The Washington Post shkroi se sipas rezultateve paraprake partia e kryeministrit Albin Kurti s’e ka shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Duke përmendur sfidat e shtetit, WP shkroi se “financimi i huaj për një nga vendet më të varfra të Europës është në pikëpyetje”.

Gazeta amerikane përmendi se “Kurti ka qenë në mosmarrëveshje me fuqitë perëndimore”.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP dhe gazeta e njohur franceze Le Monde shkruan se “kontesti i së dielës e përballi kryesisht përpjekjen e Kurtit për ta shuar ndikimin serb në tokën e Kosovës gjatë kohës së tij si kryeministër kundër zotimit të opozitës për ta nxitur ekonominë në një nga xhepat më të varfër të Europës”.

AFP paralajmëroi “bisedime për koalicion dhe pazare politike për disa ditë, nëse jo javë”.

Previous article
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments