Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Ali Gashin, kryetar i Këshillit drejtues të BSPK-së.
Ai e ka uruar Hykolli për detyrën e re dhe ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit.
Ai ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimit të kushteve në punë, nëpërmjet rishikimit të kornizës ligjore për të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë në punë, si dhe nëpërmjet fuqizimit të mekanizmave të zbatimit të ligjit.
Ky takim vjen një ditë pasi Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës organizoi protestë para qeverisë që gjeti përkrahjen edhe të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe të Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.
Kryetari i ri i BSPK-së, Atdhe Hukolli dje tha se do të jetë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave dhe kërkoi nga qeveria e Kosovës t’i ftojë sindikatat në dialogun social.
“Sot jam në cilësinë e kryetarit të BSPK-së që ta përkrahi protestën shumë kuptimplotë të Sindikatës së Shëndetësisë për Ligjin e Pagave, unë do të jem përherë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave ku ata kanë nevojë. Kërkoj nga qeveria e Kosovës që sa më shpejt t’i thërrasë sindikatat në dialogun social. Sa më shpejt edhe ministrat t’i thërrasin sindikatat që kanë nevojë për dialogun social. Ne sot këtu do e përkrahim Federatën Sindikale të Shëndetësisë. Ftojmë qeverinë t’i qojë ekspertët e vet në Këshillin Ekonomiko-Social sepse ne si BSPK përndryshe jemi në përgatitjen e veprimeve sindikale. Sa më shpejt që është e mundur që të ulemi e të bisedojmë, veprimet sindikale do t’i kemi prioritet.”, tha Hukolli.