“Lagjja e Trimave” është një nga rastet më të mëdha të historisë moderne të Maqedonisë së Veriut që është kualifikuar nga Gjykata Themelore si terrorizëm, ku si pasojë e së njëjtës kanë humbur jetën 8 policë dhe 37 të tjerë janë plagosur, ndërkaq nga pala tjetër që kanë luftuar me forcat policore janë vrarë 10 persona.
Edhe pas 6 vjetësh nga ngjarjet e armatosura, edhe pse ka vendim gjyqësor me të cilën janë dënuar grupi i “Kumanovës”, ende nuk është e pastër e vërteta – nuk dihen porositësit, është paralajmëruar hetim ndërkombëtar, por asgjë nuk është bërë.
Më 2 nëntor të 2018, dy vjet dhe pesë muaj pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në lagjen e Kumanovës “Lagjja e Trimave”, dhe një vit e tetë muaj pas fillimit të gjykimit më 8 shkurt të vitit 2016-të, Gjykata Themelore i ka shqiptuar vendimet e shkallës së parë kundër të akuzuarve.
Shtatë persona u dënuan me burg të përjetshëm për terrorizëm dhe organizim terrorist për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”, 13 persona u dënuan me nga 40 vjet burg, gjashtë me nga 20 vjet, një me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me nga 13 vjet dhe me nga 12 vjet. 4 prej të akuzuarve janë liruar.
Një dit më pas u shqiptua dënim me burg të përjetshëm edhe për të akuzuarin tjetër, Sulejman Osmani, për të cilin gjykimi ishte kryer ndaras nga grupi për shkak se fillimisht nuk ka qenë i kapshëm për organet e rendit.
Për shkak vendimeve ka pasur protesta në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.