I akuzuari Dardan Behrami është dënuar me 300 euro gjobë, pasi pranoi se falsifikoi testin e COVID-19, të cilin e prezantoi para laborantit.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Behrami u shpall të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Ajdini, i akuzuari Behrami e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën e ngakon aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Pranimin e fajësisë e përkrahu edhe avokati i tij i angazhuar sipas autorizimit, Bekim Sfishta, duke kërkuar për klientin e tij dënim sa më të butë.
As prokurori Ajdini nuk e kundërshtoi këtë pranim fajësie dhe më pas e aprovoi edhe gjykatësi i çështjes Minir Hoti.
Ndryshe, dënimin me gjobë, i akuzuari obligohet ta paguajë brenda 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe me shpenzimet e procedurës penale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 30 të tjera në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës së ngritur në gusht të këtij viti, Dardan Behrami akuzohet se më 30 prill 2021, në rrugën “19 qershori”, në Podujevë, edhe pse ka qenë në dijeni se testi për COVID-19, kinse i lëshuar nga laboratori “Vita Lab”, në Podujevë me numër të pacientit 106, i datës 21 prill 2021, është i falsifikuar, të njëjtin e ka përdorë si origjinal.
Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike më 30 prill 2021 ka shkuar në të njëjtin laborator dhe në ato çaste laborantit, të dëmtuarit Lulzim Zhdrella, iu kishte drejtuar me fjalët “a mundesh me kry një test të shpejtë për nënën time për COVID-19”.
Gjithnjë sipas padisë, kur laboranti është përgjigjur se mund ta bëjë testin, atëherë i pandehuri i kishte prezantuar një kopje të një testi të cilin e merr laboranti Lulzim dhe pas verifikimit të tij e vëren se i njëjti e kishte logon e firmës së tyre dhe vulën e doktoreshës.
Por, në aktakuzë thuhet se testi ishte i falsifikuar, pasi që nuk e kishte skankodin dhe nuk ishte lëshuar nga laboratori i tyre.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 390, par.1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet.