Polonia ka vendosur të dyfishojë përgatitjen e saj për luftë. Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi ka urdhëruar rekrutimin e rreth 200 000 njerëzve, për të marrë trajnim ushtarak 2-javor. Lajmin e ka bërë të ditur koloneli Miroslaw Brys, kreu i Qendrës Kombëtare të Rekrutimit polak.
Përveç kësaj, Forcat e Armatosura të vendit do të fusin në radhët e tyre 17 128 ushtarë të rinj profesionistë vitin e ardhshëm. Qeveria e Mateusz Morawieckit synon gjithashtu të rrisë numrin e vullnetarëve në të ashtuquajturën Forca e Mbrojtjes Territoriale në 50 000, nga 30 000 që ka ky trup paraushtarak i krijuar në 2017.
Nga ana tjetër, ekziston një shërbim ushtarak vullnetar për polakët e rinj që përfshin një gamë të gjerë avantazhesh tatimore dhe përfitimesh kur bëhet fjalë për marrjen e bursave të studimit. Paga e këtyre burrave arrin në 1100 euro. Qëllimi i ekzekutivit polak është të rrisë, në terma të përgjithshëm, numrin e trupave në ushtrinë e tij në 250 000 anëtarë. E gjithë kjo, në mes të ofensivës ruse në Ukrainë.
Propozimi i bërë nga Polonia vjen gjithashtu disa javë pasi një raketë ra në territorin e saj, disa kilometra larg kufirit me Ukrainën. Pavarësisht asaj që ndodhi, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, siguroi se “shumica e provave që kemi mbledhur tregojnë se nuk do të jetë e nevojshme të thirret neni IV i NATO-s”.
Polonia u përforcua ushtarakisht pas rënies së një rakete kundërajrore ukrainase që nuk arriti të kapte një raketë ruse, duke vrarë dy civilë. Për këtë arsye, ai i kërkoi Gjermanisë një bateri raketash Patriot për të mbrojtur kufirin e saj me Ukrainën, pasi Polonia nuk ka kapacitet për të kapur raketat ruse.