Sunday, November 24, 2024
HomeBota10 vjet nga fundi i luftës së ETA-s, Spanja u bën thirrje...

10 vjet nga fundi i luftës së ETA-s, Spanja u bën thirrje baskëve

10 vjet nga fundi i ETA-s, qeveria spanjolle u ka kërkuar baskëve që mbështesin pavarësinë të dënojnë grupin terrorist. Një dekadë pasi grupi njoftoi uljen e armëve, zëdhënësja e qeverisë së Pedro Sanchez u shpreh se kërkesa për falje për viktimat, e bërë nga EH Bildu, një parti e konsideruar si krahu politik i organizatës, është e pamjaftueshme.

“Ne vlerësojmë se kjo është e pamjaftueshme, se përveç se të kërkojnë falje ata duhet të lëvizin nga fjalët tek faktet. Për shembull, ata duhet të dënojnë rastet kur bëhen homazhe në nder të anëtarëve të dënuar të ETA-s, ose kur kërkohet lirimi i tyre nga burgu. Në vetvete kërkesa për falje është pozitive, por ata duhet të shkojnë më tej. Përveç faljes për dhimbjen e shkaktuar, ata nuk duhet të marrin pjesë në këto demonstrata, në takime ku viktimizohen ata që përjetuan dhunën dhe i kujtojnë shoqërisë spanjolle sërish ato momente”, tha Isabel Rodriguez, zëdhënëse e qeverisë spanjolle.

Fundi i aktiviteteve të ETA-s ndodhi gjatë qeverisjes së socialistit Jose Luis Rodriguez Zapatero, që u përball me kundërshtimin e vazhdueshëm të opozitës së djathtë, e përfaqësuar nga Partia Popullore.

Sot, në rrugët e lokalitetit San Sebastian, pavarësisht kontradiktave dhe vonesave, ka një ndjesi lehtësimi.

“Kur gjithçka mbaroi ishte sikur të merrnim frymë lirisht. E di, nëse e vendos veten në vendin e njerëzve që vdiqën, apo familjarëve të tyre, kjo mund të mos mjaftojë, por nga mënyra si shkuan gjërat mua më duket se ata kanë bërë një hap përpara”, shprehet një qytetare.

“Unë ndjeva një gëzim të madh. Është diçka që e kam pritur prej kohësh, është e vonuar, por e mirëpritur”, deklaron një grua.

ETA u shfaq nga fundi i viteve 1950, gjatë diktaturës së gjeneralit Francisco Franco. Në më shumë se gjysmë shekulli, ETA vrau 858 persona, sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, sulmoi institucione publike dhe private, si dhe rrëmbeu e zhvati para nga një seri biznesmenësh. Në 2011-n, numri i vrasjeve të pazbardhura të ETA-s ishte 377.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments