Kosova prej javësh po përballet me të nxehtin afrikan i cili si duket do të marrë fund gjatë kësaj jave. Gjithsesi, qershori dhe korriku i këtij viti regjistroi temperatura për tri gradë më të larta sesa të njëjtët muaj në vitet paraprake.
Gjatë kësaj kohe temperaturat më të larta kanë qenë në qytetin e Gjakovës me 38.9 gradë celsius, me këtë ritëm të nxehtësisë ka qenë edhe Kamenica me 38.4 gradë celsius ndërsa qytetet e tjera kanë vijuar me 37 deri 38 gradë celsius.
Këtë e bëri të ditur meteorologu në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Besim Aliu, i cili tha se sot (e hënë) janë temperaturat më të larta për këtë muaj me rreth 36-37 gradë celsius ndërsa në ditët vijuese gjatë ditës së enjte dhe të premte do të ketë reshje të lehta të shiut.
Ku përveç kësaj do të ketë edhe era të fuqishme që do arrijnë më shpejtësinë 10-15 metra për sekondë, pra që nënkupton se temperaturat në ditët vijuese do të ulen.
“Sot temperaturat normale do të lëvizin diku rreth 36-37 gradë celsius. Unë do të kujtoj që kjo datë e sotme do të realizojë temperaturat më të larta të këtij muaji pasi që në ditët në vijim do të kemi ulje të lehta të temperaturave dhe diku ditën e enjte apo të premte parashihet të kemi edhe reshje shiu. Reshjet do të jenë në formë të reshjeve lokale por që bashkërisht me këtë do të kemi edhe era të fuqishme të cilat mund të arrijnë shpejtësinë 10-15 metra për sekondë. Do të kemi edhe reshje të shiut të cilat do të ndikojnë në uljen e fushave termike gjerësisht në temperaturat maksimale për 3 deri në 10 gradë celsius pasi që në këtë jave pritet të lëvizin temperaturat rreth 27 deri në 37 gradë celsius që nënkupton që sot do të kemi këto temperatura më të larta kurse ditëve vijuese ato do të ulen” tha ai.
Aliu shtoi se temperaturat e nxehta kanë filluar qysh nga 21 qershori dhe qershori vlerësohet se ka qenë qershori më i nxehtë në vend, por duke mos lënë anash as muajin korrik pasi që duke e bërë krahasimin me vitet e tjera, termometri regjistroi për 2 deri në 3 gradë temperatura më të larta.
Duke mos lënë anash as vitet e tjera Aliu tregoi se në vitin 2007 temperaturat më të larta kanë qenë 30.7 gradë.
“Temperaturat mbi 30 gradë kanë filluar qysh nga 21 qershori dhe vetëm sa janë rritur dhe qershorin e kemi vetëm qershorin më të nxehtë që kur kemi filluar të bëjmë matje. Qershori ka qenë më i nxehti me temperaturat ekstreme të larta por që edhe në korrik patëm temperaturat kështu që ne kur bëmë krahasimin me mesataren e muajit korrik doli që të jetë 2-3 gradë më të lartë se mesataret e viteve tjera sepse tani temperaturat në të gjithë territorin e Kosovës mesataret e maksimaleve janë shënuar 31-32 gradë celsius, kurse viteve të tjera e kemi pas diku 28-29 gradë celsius rrallëherë e kemi pas 30 gradë diku nëse nuk gaboj në vitin 2007 i kemi pas këto temperatura më të larta me mesataren diku 30.7 kurse viteve tjera ka qenë nën 30 gradë, kurse tash ky vit regjistroi këto temperatura 31-32 gradë celsius”, deklaroi ai.
Aliu shpjegoi edhe situatën e pluhurit saharian që ka ndikuar në cilësinë e ajrit e i cili do të jetë prezent edhe gjatë kësaj jave por pasi që do të ketë reshje të shiut, pluhuri do të largohet dhe ajri do të jetë më i pastër.
“Pluhuri saharian është prezent edhe tani edhe do të jetë edhe gjatë javës por që nuk do të ndikojë diçka në shëndet, por pasi që kemi reshje pluhuri bashkë me reshje ai do të bie dhe do të jetë pastaj edhe ajri më i pastër dhe mund të ndikojë pak në cilësinë e ajrit por që pluhuri saharian vjen sigurisht me erëra, vranësira dhe kur të kemi reshje shiu ato veçse bien së bashku me reshjet në tokë”, shtoi ai.
Aliu apeloi qytetarët tha se nuk duhet të jemi në kontakt me diellin nga ora 10 e mëngjesit deri në 17:00 të pasdites, dhe të veshim rroba të cilat kanë ngjyrë më të hapur. Po ashtu, ai kërkoi se gjatë këtij moti të nxehtë mos të ndezin hamulloret sepse ndikon shumë në cilësinë ë ajrit dhe në ngritjen e temperaturës dhe rrezikon përhapjen e zjarreve.