Seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka vijuar e mbyllur në pjesët ku avokati mbrojtës i ka prezantuar dëshmitares disa artikuj të publikuar në mediat e Kosovës, në të cilët përmenden emra të personave, disa prej tyre serbë.
Gjatë seancës, avokati mbrojtës ka pyetur hetuesen rreth dorëheqjes së ish zëvendësprokurorit të specializuar dhe nëse do të duhej mbaheshin nën vëzhgim zyret e OVL-UÇK pas 7 shtatorit, në mënyrë që parandalohej rrjedhja e dokumenteve të tjera.
Me urdhër të trupit gjykues, pjesët ku duhet të përmenden emra që lidhen me dëshmitarët apo dëshmitarët e mundshëm, nuk duhet të jenë publike.
Dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper i është përgjigjur mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees, ku shumë prej pyetjeve janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici.
Avokati Rees: Paragrafi 16 i deklaratës suaj që ka numër 084015, në paragrafin 16 ju thoni se keni parë një artikull që quhet “Skandali tjetër i Dhomave të Specializuara, ajo ka bashkëpunuar me oficerë të ushtrisë serbe që kanë qenë aktivë në kohën e Millosheviqit”, botuar në gazeta New Born. Kur e keni parë këtë artikull?
Prokurorja Bolici: Kundërshtojmë, për referencën e titullit të artikullit, lidhur me urdhrin që dha gjykatësi kryesues.
Gjykatës Smith: Kundërshtimi juaj nuk pranohet.
Avokati Rees: Kur e keni shikuar këtë artikull ju lutem?
Dëshmitarja Pumper: Në kohën e duhur, kur po përgatitesha për këtë deklaratë.
Prokurorja Bolici: Kundërshtoj.
Gjykatësi Smith: Ka një numër ERN ky dokument, kjo faqja e internetit, nuk e di pse kundërshtoni.
Prokurorja Bolici: Lidhur me leximin me zë të faqes së internetit në seancë të hapur
Gjykatësi Smith: Vazhdo zotëri Rees.
Një pjesë e pyetjeve dhe përgjigjeve për këtë artikull ka vijuar me përmbajtje të redaktuar.
Avokati Rees: dua që dëshmitarja të konfirmojë nëse mundet që kjo faqe e internetit vazhdon të jetë edhe sot e disponueshme, çështje që ne mendojmë që lidhet plotësisht me fjalët që thatë ju si trup gjykues nëse kjo faqe ka qenë ose vazhdon të jetë konfidenciale, me këtë lidhet.
Dëshmitarja Pumper: Nuk e mbaj mend rrugën e ndjekur për adresën që mu lexua.
Avokati Rees: Ky artikulli që keni shqyrtuar të cilit ia lexuam titullin, paragrafi i parë thotë “dokumentet e tjera flasin për bashkëpunimin që Dhomat e Specializuara kanë pasur me punonjës, oficerë serbë që kanë qenë aktiv gjatë kohës së Sllobodan Millosheviq”.
Me vendim të trupit gjykues seanca ka vijuar e mbyllur në mënyrë që të lexohet artikulli i plotë.
Ndërsa sipas avokatit Rees, mbrojtjes po i vështirësohet marrja në pyetje meqë nuk mund të përdorin pseudonime në raste të caktuara.
Ai ka pyetur dëshmitaren rreth dorëheqjes së ish-zëvendësprokurorit të specializuar, Kwai Hong.
Avokati Rees: Emrat e dy oficerëve serbë që përmenden aty, të cilët kanë qenë të pranishëm në disa prej masakrave që janë kryer nga regjimi i Millosheviqit, pra gazeta New Born mori dokumentet që tregonin se oficerët serbë janë kontaktuar nga Dhomat e Specializuara për të dhënë dëshmi kundër UÇK-së dhe anëtarëve të saj. Në paragrafin e fundit të artikullit thuhet zëvendësprokurori i specializuar ka caktuar mijëra dosje të cilat sipas raporteve përmbajnë edhe gjëra tjera, emra të dëshmitarëve të tjerë. Mund të na ndihmoni nëse është e saktë që Kwai Hong ka hequr dorë pas daljes së këtij informacioni?
Këtë pyetje e ka kundërshtuar prokurorja Bolici, megjithatë avokati Rees ka insistuar me pyetjen e tij.
Avokati Rees: A mund ta konfirmoni që Kwait Hong hoqi dorë pasi dolën këto lajme në shtator, 2020?
Dëshmitarja Pumper: Nuk i di arsyet pse ai hoqi dorë nga ZPS.
Avokati Rees: Mund ta konfirmosh se u largua në shtator 2020?
Dëshmitarja Pumper: Po, me sa e di po. Nëse më lejoni të kthehem pas, pas shtatorit 2020 nuk e konfirmoj, e di që ka dhënë dorëheqjen.
Ndër të tjera, avokati ka prezantuar një dokument që supozohet të jetë kërkesë për koordinim që i drejtohet një zyrtari serb dhe që mban nënshkrimin e ish-zëvendësprokurorit të specializuar Hong.
Gjatë kësaj seance, dëshmitarja Zenka Pumper ka bërë të ditur se nuk ka qenë e pranishme gjatë sekuestrimit të dokumenteve nga OVL-UÇK.
Avokati Rees: Kur u zhvillua konferenca për shtyp më datë 7 shtator 2020 dhe në ditët në vijim u bë e qartë publikisht apo jo se të paktën ekzistonte potenciali që dokumente të tjera të një natyre të ngjashme t’i dorëzoheshin OVL-UÇK.
Dëshmitarja Pumper: Kam lexuar në transkriptet e konferencave për shtyp.
Avokati Rees: Nëse dokumentet që ju i etiketoni si paketa 1 përmbanin siç e pohoni material vërtet konfidencial dhe delikat, ZPS do të mund ta merrni me mend, do të kishte dëshirën që ta ndalonte nxjerrjen e një natyre të ngjashme, pajoheni me këtë?
Dëshmitarja Pumper: Unë nuk kam asnjë përfshirje nga ana ime në asnjë aktivitet para datës 25 shtator dhe kam dijeni të kufizuara për këtë.
Nuk ju kërkua që të mbani në vëzhgim zyret e OVL UÇK nga data 10 shtator deri 17 shtator 2020.
Dëshmitarja: Mua nuk më është kërkuar kjo.
Avokati Rees: Ju jeni koordinatore me përvoje hetimesh apo jo?
Dëshmitarja: Kam 20 vjet përvojë në hetime.
Gjatë seancës, avokati Rees ka pyetur dëshmitaren, meqë është hetuese me 20 vjet përvojë pune, se a do të duhej të mbaheshin nën vëzhgim zyret e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së pas ditës së parë kur janë dërguar dokumente, në mënyrë që të parandalohej rrjedhja e dokumenteve të tjera.
Avokati Rees: Nëse do të ju kishin ngarkuar më datë 7 shtator që të koordinoni hetimet pasi atë siç e pranuat tani se nuk ishte sekret që ekzistonte mundësia që edhe dokumente të tjera t’i dërgoheshin zyrave të OVL-UÇK, a nuk do të ju shkonte në mendje që zyrat dhe mjedisi përreth zyrave të mbaheshin nën vëzhgim nga ana e juaj, në mënyrë që të mund të ndalonit dorëzimin e dokumenteve të tilla?
Prokurorja Bolici: Kundërshtim, kjo pyetje del jashtë objektit të pyetjeve që pala mbrojtëse i ka bërë dëshmitares.
Dëshmitarja Pumper: Nëse do të më ishte ngarkuar detyra për të koordinuar këtë mund të kisha marrë parasysh çdo opsion, me gjasë nëse do të ishte e nevojshëm edhe mbajtjen nën vëzhgim.
Avokati Rees: Pra, ju do ta konsideronit këtë po të ishte ngarkuar për ju. Por a jeni në dijeni nëse e ka bërë dikush tjetër.
Dëshmitarja Pumper: Siç e thash më parë nuk jam në dijeni, nuk isha e përfshirë dhe kam dijeni të kufizuara.
Avokati Rees: A jeni në dijeni nëse dikush e ka marrë vendimin me dashje për të mos i mbajtur nën vazhdim zyret qendrore.
Dëshmitarja Pumper: Nuk kam dijeni për këtë.
Avokati Rees: Kush do të kishte dijeni për këtë?
Dëshmitarja Pumper: Personat që do të kishin dijeni për këtë është vetëm prokurori i specializuar dhe zëvendës prokurori i specializuar.
Zenka Pumper ka thënë se vendimi për mbajtjen nën vëzhgim, të zyrës së OVL-UÇK ka qenë i prokurorit të specializuar dhe zëvendësit të tij.
“I nderuar gjykatës, më kërkuat dje që të marrë vesh përgjigjet dy pyetjeve që kishit dhe dje me thanë se bashkërendimi i përgjithshëm dhe administrimi i këtij hetimi ishte kryer nga prokurori i specializuar dhe zëvendësprokurori i specializuar, dhe nga ky informacion unë marr me mend se vendimi për të vendosur apo jo zyret nën vëzhgim do të ishte marrë prej tyre. Por nuk është se me kanë thënë në mënyrë specifike”, ka thënë dëshmitarja Pumper.
Kjo është dita e tretë e dëshmisë së Zenka Pumper, koordinatore e hetimeve në ZPS.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë marrë pjesë në seancë me prezencë fizike.
Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.