Nisma Socialdemokrate ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mosveprim në organizimin e mbrojtjes për ish-krerët e UÇK-së që po akuzohen në Hagë.
Sekretari i kësaj partie Bilall Sherifi ka thënë se derisa ishte në opozitë Kurti kishte deklaruar që shteti i Kosovës duhet të koordinojë mbrojtjen e të pandehurve dhe se çështja e mbrojtjes së tyre është edhe punë qeverie, ndërsa tani, siç ka thënë Sherifi, derisa Kurti është në pushtet nuk po ndërmerr asgjë në këtë drejtim.
Në një konferencë për media, Nisma Socialdemokrate ka kërkuar që Kurti të realizojë ato që ka deklaruar sa ishte në opozitë.
Sherifi ka komentuar fjalimin e Kurtit që ky i fundit kishte bërë në një konferencë për media në nëntor 2020 derisa fliste për nevojën e bashkërendimit të shtetit në çështjen e të akuzuarve nga Specialja.
“ ‘Shteti i Kosovës duhet të organizojë dhe ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve, ata e pamë, kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendim nga shteti’. Ky ishte konstatimi i parë i Albin Kurtit, tash Nisma Socialdemokrate shtron pyetje publike, përse Albin Kurti heshti tërësisht gjatë procesit kur Gjykata Speciale duhej të vendoste lidhur me kërkesën e avokatëve për mbrojtjen në liri, të përfaqësuesve të lartpërmendur të UÇK-së dhe përse nuk bashkërenditën së bashku me avokatët ashtu që deklaroi si përfaqësues i opozitës strategjinë e nevojshme për t’u siguruar atyre të mbroheshin në liri”, ka thënë Sherifi.
Sherifi ka thënë se që prej zgjedhjeve të 14 shkurtit, kryeministri Albin Kurti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim përmes së cilit do të tregonte që ka preokupim mbrojtjen e UÇK-së në arenën ndërkombëtare dhe Gjykatën Speciale.
“Më 15 nëntor 2020 Albin Kurti deklaroi se mbrojtja e përfaqësuesve të UÇK-së është edhe punë qeverie, kjo thotë është sidomos punë qeverie. Nisma Socialdemokrate shtron pyetjen e dytë publike për kryeministrin Albin Kurti. Duam të dimë nëse mbrojtja e përfaqësuesve të UÇK-së është punë qeverie dhe sidomos punë qeverie edhe tani kur Albin Kurti udhëheq qeverinë, apo ky qëndrim i tij vlen vetëm për të tjerët por jo edhe për qeverinë që ai udhëheq”, tha Sherifi.
Nisma ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të ndërmarrë veprimet për të cilat deklarohej sa ishte në opozitë.
Në nëntor të vitit 2020, Specialja ka arrestuar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, nën aktakuzën me pretendime për krime lufte.