Dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj Salih Mustafës sot u është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues dhe avokatit mbrojtës të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka thënë se është dërguar me veturë në një objekt në Zllashë ku sipas tij është mbajtur për disa ditë. Sipas tij, aty është pritur nga një person me beretë.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia e ka pyetur dëshmitarin se çfarë ngjyre ka pasur bereta e personit që ai thotë se e ka pritur kur e kanë dërguar në Zllashë, por përgjigja e tij nuk është dëgjuar në transmetimin që ofrohet nga Dhomat e Specializuara.
Trupi gjykues kërkuar nga dëshmitari që të përgjigjet rreth periudhës kur dëshmitari pretendon se është mbajtur në një ahur në Zllashë.
Dëshmitari i mbrojtur, i cili mban kodin W04669, ka thënë se gjë kohës së mbajtjes janë ushqyer vetëm me buke dhe supë, derisa për të pirë ka thënë se kanë pasur ujë.
“Kanë qenë dy-tre batanije, më kujtohet e kanë mbuluar viktimën që e kanë maltretuar, ia ka dhënë njëri batanijen e vet, njëri prej kolegëve prej atyre personave që kemi qenë aty. Aty më kujtohet që ka pasur batanije por jo të mjaftueshme për të gjithë që kemi qenë. Me siguri kanë qenë dy ose tri përderisa i kanë dhënë edhe atij që e kanë pru te ne një, është dashtë për t’u mbuluar me batanije të tjetërkujt”, ka thënë dëshmitari.
Ndërsa pasi e kanë liruar, dëshmitari ka thënë se nuk ia kanë kthyer ditarin e shënimeve të cilin sipas tij fillimisht ia kanë konfiskuar.
“Pash vendin e njëjtë që na kanë pru, gjelbërim, bari përreth, malet afër, m’i kanë kthyet gjërat e mija që i kam pasur përveç që m’i ndaluan dy gjëra, thikën dhe ditarin e vogël, ditar më të vogël se shuplaka e dorës, tjerat gjëra m’i kanë kthyer, më kanë thënë je i lirë, vazhdo dhe kam shkuar në shtëpi këmbë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.
Dëshmitari ka thënë se ka pasur një “gardh” të vogël rreth 30 metra larg vendit ku pretendon se është mbajtur. Sipas tij aty nuk ka pasur portë të oborrit përveç asaj të objektit.
Paraprakisht, dëshmitari u është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Mustafës, Julius Von Bone i cili e ka pyetur rreth periudhës së bombardimeve të NATO-s në Prishtinë ku dëshmitari ka thënë se nuk e mban mend me saktësi muajin apo datën e bombardime.
Avokati-dëshmitari: Pyetje-përgjigje
Avokati Von Bone: A e dini nëse në vitin ’99 Prishtina a ka qenë bombarduar nga NATO apo jo?
Dëshmitari: Pyetje e përgjithshme, po, atë krejt e dinë.
Avokati Von Bone: Muaj apo datën kur ka ndodhur, a e di?
Dëshmitari: Nuk më kujtohet data e saktë, muaji ka qenë diku prill, prill a mars nuk jam i sigurt.
Avokati Von Bone: Stërvitja që ke bërë ti atëherë, ka ndodhur apo është bërë përpara bombardimit të Prishtinës apo pas?
Dëshmitari: Më duket para, për shkak se edhe borë ka pasur atje.
Avokati Von Bone: Pa përmendur emra, por erdhi një moment dhe të dhanë urdhër të hipje në një veturë, folëm për këtë, në atë moment, apo ky moment më saktë, ishte përpara apo pas bombardimit që NATO i ka bërë Prishtinës?
Dëshmitari: Me Prishtinën nuk i di lidhjet, por në Kosovë ka bombarduar më herët. Ajo kohë kur kam shkuar atje, nuk e di kur me ndërlidh me Prishtinën, nuk mund ta ndërlidh nuk di, nuk më kujtohet.
Avokati Von Bone: A mund ta ndërlidhesh me një moment tjetër kohor, pra momentin kur të thanë hip në veturë, a e lidh dot me një moment tjetër kohor, apo me ndonjë ngjarje tjetër?
Dëshmitari: Në pranverë të hershme, kur kam përfunduar, kur kam shkuar atje, që më kanë ndalu.
Avokati Von Bone: Zotëri dëshmitar, erdhi një moment dhe të liruan nga ai vendi ku të kanë mbajtur të ndaluar dhe nëse më kujtohet paka a shumë dikush hapi portën dhe tha shkoni tani, pak a shumë, kështu?
Dëshmitari: Po.
Pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës kanë vijuar në seancë të mbyllur pas së cilave dëshmitari ka thënë se me Fatmir Sopin e Sejdi Veselin i ka takuar në përudhën kur ka shkuar për ushtrime për t’u kyçur në UÇK. Ai ka thënë se në një odë janë bërë diskutime për çështjet politike të asaj kohe. Ndërsa pas stërvitjeve, ka thënë se me Fatmir Sopin ka pasur përshëndetje.
Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendime për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.