Klima e të bërit gazetari në Kosovë po shkon duke u rënduar dhe sulmet ndaj gazetarëve po shkojnë duke u rritur, ku vetëm gjatë vitit 2020 kanë ndodhur 24 raste të sulmeve ndaj tyre.
Kështu u tha në konferencën e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës gjate publikimit të raportit “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2020”.
Kryetarja e Bordit të AGK, Gentiana Begolli, tha se gjendja e gazetarëve në Kosove nuk është e mirë.
“Rastet e atakimeve në drejtim të gazetarëve vetëm sa rritet. Klima e të bërit gazetari po shkon duke u rënduar. Kolegët tanë vazhdojnë të përballen me probleme të shumta si puna me paga shumë të ulëta. Lëndët e gazetarëve zvarriten, në rastet kur nuk zvarriten dënimet janë shumë të ulëta. Gazetarët përballen me paga të ulëta, me punë jashtë orarit”, tha ajo.
Begolli tha se është shqetësuese që gazetarët nuk kanë qenë të lirë të flasin as për AGK-në për problemet me të cilat përballen.
Raportin e ka prezantuar drejtoresha ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqaj-Bojaj, e cila tha se klima e të bërit gazetari nga viti në vit po vështirësohet.
“Klima e të bërit gazetari nuk është aspak e lehtë, madje nga viti në vit po vështirësohet. Sulmet ndaj gazetarëve në vitin 2019 kemi pasur 21 sulme, ndërsa në viti 2020 kemi 24 raste. Besojmë që ka edhe raste të tjera që nuk janë raportuar në AGK. Sulmet dhe kërcënimet që kanë ndodhur gjate vitit 2020 është bërë trend që të bëhen nga rrjetet sociale. Rastet më të rënda kanë qenë ajo ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi dhe Valon Syla”, tha ajo.
Mulliqaj-Bojaj tha se ndër rekomandimet që i kanë listuar në raport është se gazetarëve iu duhet një sindikatë e cila është e përgjithshme, si dhe zgjidhja e mënyrës së financimit të RTK-së.