Qeveria e Kosovës ka ndryshuar programin legjislativ për vitin 2021. Në kuadër të kësaj, në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi 15 projektligje për plotësim-ndryshimin në sektorin e shëndetësisë, të cilat kanë qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore me Ligjin për Kundërvajtje.
Krahas kësaj, ekzekutivi ndau 10 milionë euro për subvencionimin e likuiditetit të kredive familjare, derisa miratuan edhe ndryshimet në rregulloren e Zyrës së Kryeministrit për shtimin e këshilltarëve politikë.
Para fillimit të mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti i shprehu ngushëllime familjeve për viktimat që kanë humbur jetën nga COVID-19, teksa tha se tri javët e fundit kanë qenë më të rëndat për popullin e Kosovës dhe institucionet shtetërore.
“Më lejoni që fillimisht t’i shpreh ngushëllime familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi COVID-19. Më datën 8 gusht kishim asnjë të vdekur në Kosovë, por tri javët e fundit janë më të rënda për popullin e Kosovës dhe më të vështira për institucionet e shtetit tonë… I bëj thirrje të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar të vaksinohet dhe caktojnë terminë sepse vaksina ka mjaftueshëm dhe çdo ditë po pranojmë doza të reja”, tha Kurti.
Duke arsyetuar 15 projektligjet e miratuara, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia tha se përmes tyre do të krijohet një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit.
“Miratimi i projektligjeve për plotësim-ndryshimin e ligjeve në sektorin e shëndetësisë do të krijojë një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit”, tha ai.
Me rastin e ndarjes së 10 milionë euro për subvencionimin e likuiditetit për kredi familjare, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati tha se synohet të mbështetet amvisëria.
“Me anë të kësaj mase mbështet amvisëria duke u subvencionuar kreditë konsumuese që t’iu mundësohet të ketë sa më të lehtë përballimin e shpenzimeve sezonale. Mjetet e marra për këtë masë merren nga programi i rimëkëmbjes ekonomike”, tha ministri Murati.
Pasi ndryshuan rregulloren e Zyrës së Kryeministrit për shtimin këshilltarëve politik, kryeministri Kurti tha se kjo është e nevojshme për shkak të bashkimit të disa ministrive, zgjerimit të fushëveprimit dhe rritjes së përgjegjësive.
Ky ndryshim prek Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Ministrinë Financave, Punës dhe Transfereve, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Me anë të saj, ministri mund të emërojë deri në 10 këshilltarë politikë dhe 5 këshilltarë të jashtëm politikë.
“Si rezultat i fuzionimit të ministrive është zgjeruar fushëveprimi dhe janë rritur përgjegjësitë e tyre, prandaj me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe rritjes së efikasitetit në qeverisje, sot shqyrtojmë këtë projekt-rregullore”, tha Kurti.
Ekzekutivi në mbledhjen e sotme emëroi Samir Bllacakun në pozitën e drejtorit në pozitën e Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror (ASHNA).
Në mesin e projektligjeve të miratuara janë Projektligji për ndryshimi dhe plotësimi e Ligjit për Sigurim Shëndetësor, Projektligjin për Shëndetësinë Publike, Projektligji për Shëndetin Riprodhues, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri, dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për kontrollin e Duhanit.