Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosova​“Një e dhjeta e qytetarëve të Kosovës mendojnë se gratë duhet të...

​“Një e dhjeta e qytetarëve të Kosovës mendojnë se gratë duhet të durojnë dhunën”

Rreth dy mijë raste të dhunës në familje janë raportuar vetëm gjatë këtij viti. 1/10 e qytetarëve në Kosovë mendojnë se gratë duhet të durojnë dhunën nga burrat për të mbrojtur familjen e tyre. Të njëjtit po ashtu thonë se gratë dhe vajzat e reja të cilat abuzohen seksualisht e provokojnë vetë këtë rast.

 

Kështu thuhet në hulumtimin “Perceptimet e qytetarëve mbi barazinë gjinore dhe dhunën mbi baza gjinore”. Institucionet po zotohen se janë duke punuar në parandalim të rasteve të dhunës në familje, ndërkaq shoqëria civile ka kritika në mos-përfshirje në takimet për këtë çështje.

Në takimin e katërt konsultativ me temën “Përgjigjet institucionale ndaj dhunës kundër grave në periudhën post COVID-19”, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Qendrën për Studime Gjinore, kryeministri Albin Kurti theksoi se numër i madh i grave dhe vajzave vuajnë si rezultat i dhunës fizike, seksuale, ekonomike apo psikike.

Ai shtoi se në vend ka pabarazi të thella e për shumë vjet ka pasur orientim të gabuar të trajtimit të këtyre rasteve.

“Mungesa në drejtësi dhe barazi i nxit normat sfiduese, dominonte dhe patriarkale. Dhe padrejtësia shtesë nga mos-veprimi i shtetit në rolin e tij si mbrojtës e bën më të ashpër e më të dukshëm këtë. Kjo ngulfatje po na dërgon deri te mohimi i së drejtës për jetë të grave dhe vajzave tona në Kosovë. Përbrendësimi i kësaj situate kërkon jo heshtje por veprim, jo fshehje të së vërtetës, por ndërhyrje në thelbin dhe rrënjën e gjërave. Ndër vite dhuna ndaj grave dhe vajzave dhe vrasjet ndaj grave apo femicidi, specifikisht kanë qenë në nivel shumë shqetësues. Neglizhenca e institucioneve për të ofruar urdhër-mbrojtje ka dërguar deri te vrasja e Diana Kastratit në vitin 2011”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit derisa ka përmendur me rend emrat e grave të vrara nga familjarët, ka thënë se asnjëherë për këto viktima nuk është vendosur drejtësia. Më tej, u zotua se si qeveri tanimë po u ofrojnë ndihmë juridike falas grave.

“Po angazhohemi maksimalisht që të zbatojmë në përpikëri hapat e masat që kërkohen nga ne dhe do të marrim përsipër obligimet që parasheh Konventa e Këshillit të Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Ky vizion mbështetet në një synim të thjeshtë që asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës dhe se çdo vajzë duhet të rritet duke e ditur që është e sigurt. Për të realizuar një vizion të tillë po punohet momentalisht në tri fronte. Në kornizën legjislative, në Zyrën e Koordinatores Kombëtare kundër dhunës në familje dhe në strategjinë kombëtare kundër dhunës në familje”, tha Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se kanë vendosur si prioritet çështjen e dhunës në familje, për çka obligon edhe rregullorja e qeverisë.

“Prej janarit deri në këtë muaj, kemi të raportuara rreth 2000 raste të dhunës në familje. Unë konsideroj që në njërën anë zhvillimi ekonomik po ashtu dhe drejtësia janë thelbësore, janë të domosdoshme për të adresuar dhe për të zvogëluar numrin e rasteve të dhunës në familje. Për këtë jemi duke punuar si qeveri, qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik ku hap më shumë vende të reja të punës. Siç e dimë, vetëm 13 apo 14 për qind e grave janë pjesë aktive e tregut të punës dhe kjo flet jo për mos përfshirje por për përjashtim”, tha Haxhiu.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli tha se e drejta e grave për të jetuar pa dhunë varet nga mbrojtja e shtetit. Sipas saj, kjo duhet të jetë prioritet dhe se Qeveria dhe Parlamenti kanë detyrim ligjor për të mbështetur dhe zbatuar Konventën e Stambollit.

“Hulumtimi që qendra ka realizuar, “Perceptimet e qytetarëve mbi barazinë gjinore dhe dhunën mbi baza gjinore”, të cilën ne si qendër e kemi realizuar në mbështetje të UN Women, na tregon perceptimet e qytetarëve që janë ende shqetësuese. Gati 1/3 e qytetarëve pajtohen plotësisht se burrat janë të dhunshëm për nga natyra. Ndërsa më shumë se 1/10 e qytetarëve kosovarë pajtohen plotësisht se gratë duhet të durojnë dhunën për të mbrojtur familjen e saj dhe për të qëndruar bashkë me familjen e saj. Gati 1/10 e qytetarëve kosovarë pajtohen se gratë dhe vajzat të cilat ngacmohen seksualisht apo abuzohen seksualisht e provokojnë atë vetë. Dhe nëse një grua nuk lufton fizikisht ndaj aktit të tentim dhunimit, as nuk mund të konsiderohet si përdhunim”, ka treguar ajo.

Se gratë po vriten dy herë edhe nga neglizhenca e institucioneve ka thënë edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

“Shkeljet që ndodhin në këto raste, në të gjitha fazat, polici, prokurori, gjykata, thjesht e tejkalojnë neglizhencën. Shpesh herë e fiton bindjen që në institucionet tona kemi zyrtarë që kanë mendësi dhe mentalitet, kanë kulturë që nuk janë në gjendje të trajtojnë të barabartë, në këtë rast gratë si palë të barabarta dhe me gjininë tjetër. IKD ofron ndihmë juridike falas për kategoritë që nuk janë në gjendje të mirë ekonomike dhe për shkak se thjesht janë të varfër. Prej asaj që kemi vërejtur ne mund të themi që e kemi kuptuar edhe gjendjen e sistemit gjyqësor, sistemin prokurorial dhe Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës, ka adresuar kritika për mos-përfshirje të barabartë të shoqërisë civile në takimet për çështje të dhunës në familje.

“Kur filloi puna pati një qasje diskriminuese ndaj aktivistëve që gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë eksperte. Edhe këtyre aktivisteve duhet t’iu njihet ekspertiza, duhet të jenë vazhdimisht pjesë e proceseve dhe jo t’iu thuhet ‘je këtu, përfundoje me kohë, ta mbylli mikrofonin’. Por, të hapim vesh e të dëgjojmë, sepse këto çfarë thuhet në takime është me rëndësi sepse e kanë përvojën dhe ekspertizën”, tha Rogova.

Kryeshefja ekzekutive për Agjenci për Barazi Gjinore nga Zyra e kryeministrit, Edi Gusia ka theksuar se janë ndarë 1 milion euro për 115 kopshte ku shumë prej tyre udhëhiqen nga gratë dhe 630 mijë euro për organizata joqeveritare.

Ky takim konsultativ synon t’i shërbejë koordinimit mes institucioneve dhe akterëve të shoqërisë civile në trajtimin e duhur të fenomenit të dhunës në bazë gjinore, me qëllim të parandalimit dhe luftimit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments