Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Prizren. Në kryeqytetin historik të Kosovës u kërkua mbështetja qytetare më zgjedhjet e 14 nëntorit për ndryshim pushteti në qeverisjen komunale.
Kandidati i PDK-së për kryetar, Shaqir Totaj para simpatizantëve të shumtë, tha se nevoja për ndryshim në Prizren është e madhe, pasi ka pasur një keqqeverisje në katër vjetët e kaluara.
“Qysh moti e kemi identifikuar nevojën për ndryshim në Prizren. Kemi nevojë për projekte, arsim më të mirë, shëndetësi më të mirë, kushte më të mira për artistët tanë. Kemi nevojë për zhvillim ekonomik, prandaj me votën tuaj do të ndëshkojmë keqqeverisjen që e kemi pasur në katër vjetët e fundit. Pasi Prizreni është qyteti i vlerave dhe duhet t’ia kthejmë qytetit tonë shkëlqimin dhe buzëqeshjen… Nuk ka vota për një person që buxhetin nuk e ka shfrytëzuar dhe nuk i ka futur mjetet në qarkullim. Nuk ka vota për një person që ka pasur qeverisje jo transparentë dhe fshihet prapa njerëzve të tjerë. Prizreni meriton më tepër”, tha Totaj.
Mbështetje Shaqir Totajt i dha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se qeverisjes depresive të Haskukës po i vjen fundi.
“Kjo atmosferë dhe kjo mbështetje më bënë t’iu shoh të gjithëve në sy për të dhënë një lajm se ditët e qeverisjes depresive po marrin fund dhe Shaqa po vjen. Ai po vjen që të bëhet kryetar i shpresës dhe rilindjes së Prizrenit, ashtu siç kërkojnë dhe meritojnë qytetarët. PDK kurrë nuk e ka parë Prizrenin si vetmen komunë, por si vend që na bënë bashkë. Kjo është trashëgimia që PDK-ja e ka ndërtuar së bashku me qytetarët e Prizrenit. Këtë trashëgimi e ka ndërtuar edhe liderët tanë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, tha Krasniqi.
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi kritikoi edhe kryeministrin Albin Kurti me vartësit e tij, për siç tha defilimin në skutat e Prizrenit për ta mbështetur Haskukën.
“Me Shaqën dhe vizonin e tij i kemi dyert e hapura dhe të vetmet dyer që po mbyllen janë të Mytaher Haskukës. Nga humbja Haskukën nuk e shpëton as Kurti dhe as ministrat e qeverisë që po bien dhe defilojmë me xhipe në Prizren… Më 14 nëntor të bëhet rikthimi i Prizrenit që na bashkon të gjithëve. Shaqa është në garë për transformim”, tha ai.
Përkrahje në zgjedhjet e 14 nëntorit kërkoi edhe shefi i shtabit zgjedhor të PDK-së në Prizren, Kujtim Gashi.