Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosova​Kuvendi joefikas dhe shkeli Kushtetutën gjatë vitit 2021

​Kuvendi joefikas dhe shkeli Kushtetutën gjatë vitit 2021

Kuvendi i Kosovës ka pasur performancë të dobët në ligjvënie gjatë vitit 2021.

Kështu vlerësojnë njohësit që thonë se legjislatura e tetë ishte joefikase edhe në mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve dhe strategjive të ndryshme. Legjislativi konsideroi se dështoi edhe në emërimin e bordeve dhe agjencive institucionale. Madje, gjatë vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Kuvendi mori vendim kundërkushtetues, kur shkarkoi njëherazi pesë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Ndërkohë, në nëntë muaj funksionalitet, Kuvendi miratoi 36 ligje, ndërsa 79 projektligje të tjera janë në procedurë nga agjenda legjislative e Qeverisë që kishte planifikuar rreth 190 projektligje të miratojë më 2021.

Monitoruesi i punës së Kuvendit, Yll Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se të zgjedhurit e popullit gjatë vitit 2021 nuk kanë arritur të përmbushin detyrat e tyre.

Ai vë në pah, siç thotë, hijen e keqe që i ka vendosur punës së Kuvendit, vendimi i Kushtetueses për shkarkimin e bordit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

“Është e kotë që Qeveria të dërgojë ligje në Kuvend kur e njëjta nuk arrin të përmbushë punën e saj dhe t’i aprovojë këto projektligje. Dihet se agjenda legjislative është vetëm njëra nga punët e Kuvendit, kemi edhe shumë detyra të tjera që i ka Kuvendi dhe nuk ka mundur t’i arrijë gjatë këtij viti kalendarik. […] Përveç ligjeve, Kuvendi joefikas ka qenë edhe në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe strategjive të ndryshme të cilat total kanë dështuar që të përmbushin këtë detyrë. Pastaj kemi pasur një numër të madh të bordeve që nuk kanë arritur të emërohen, apo nëse janë propozuar nga komisionet funksionale, nuk kanë arritur që të marrin votat e nevojshme që të bëhen funksionale.[…] Ky Këshill (i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës) u shkarkua dhe pastaj nga Gjykata Kushtetuese u gjet se ky lloj shkarkimi ishte kundërkushtetues. Kjo i jep hije të keqe punës së Kuvendit, ku Kuvendi bashkë me presidentin duhet të mbikëqyrë zbatimin e Kushtetutës dhe jo të jenë vetë shkelës të Kushtetutës”, thotë ai.

Faturën për performancën e dobët të Kuvendit, deputeti opozitar nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa, ia adreson partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai thotë se pushteti ka pasur një agjendë legjislative populiste dhe pa ndonjë agjendë dinamike.

“Nuk konsiderojmë se ka qenë efikase mazhoranca tek përmbushja e agjendës legjislative. E kemi pa se nuk ka pasur ndonjë dinamik në përmbushjen e saj. Ka qenë më shumë një agjendë populiste se realiste, pasi e dimë procedurën për të kaluar një ligj se duhen të paktën tre muaj të paktën me u kyç akterët tjerë prej leximit të parë në të dytin. […] Kjo qeveri ka qenë më shumë populiste dhe strategjia e saj legjislative ka qenë më shumë fushatë se sa tip i një qeverie”, thekson ai.

Por, ndryshe shprehën nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti, njëherësh kryetar i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, thotë se legjislativi ka qenë efikas gjatë vitit 2021.

Por, ai thotë se viti ka qenë i ngarkuar edhe me zgjedhjet lokale që kanë pasur ndikim në mbajtjen e seancave plenare.

“Unë mendoj se legjislatura ka qenë shumë efikase, kuptohet në një vit të ngarkuar edhe me zgjedhjet lokale. Duhet të kemi parasysh se ka pasur një impakt në mbajtjen e seancave, por në termat e përgjithshme një plan ambicioz legjislativ dhe një mazhorancë e konsoliduar sa i përket numrit të deputetëve, por gjithnjë brenda kufizimeve të afateve. Kësisoj mendoj se kemi pasur një efikasitet të lartë, por ka mundur të jetë më i lartë dhe do të jetë i lartë vitin e ardhshëm”, thotë ai.

Kuvendi i Kosovës ëshë konsistuar më 22 mars dhe gjithsej gjatë viti 2021 ka mbajtur 19 seanca plenare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments