Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosova​Dështim me rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe në vitin...

​Dështim me rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe në vitin 2021

Edhe në vitin 2021 sistemi i drejtësisë nuk ka shënuar progres në trajtimin e problemeve me të cilat ballafaqohet ndër vite. Mungesa e rezultateve në trajtimin e rasteve të profilit të lartë, stërzgjatja e procedurave gjyqësore për lëndët civile e administrative dhe mosmbajtja e seancave janë vetëm disa nga mangësitë të cilat e kanë shoqëruar këtë sistem gjatë vitit që lamë pas.

Organizatat që merren me monitorimin e punës së sistemit të drejtësisë, konsiderojnë se viti 2021 për institucionet e drejtësisë është përsëritje e asaj se çka ka ndodhur në vitet e kaluara. Sipas tyre, viti 2021 është argument shtesë që institucionet e drejtësisë duhet t’i nënshtrohen procesit të vetingut.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj shprehet se gjatë vitit të kaluar nuk ka pasur asnjë rast të profilit të lartë që është dënuar me aktgjykim të prerë.

“Nëse marrim për bazë lëndët e korrupsionit të lartë edhe viti 2021 nuk i kemi as edhe një rast të profilit të lartë i cili është dënuar me aktgjykime të prerë dhe ka shkuar në vuajtje të dënimit, këtë vit i kemi pasur kryesisht tri raste të cilat kanë qenë më shumë të njohura për publikun të nivelit të lartë, kanë qenë kryesisht tre kryetarë të komunave ku Haki Rugova është liruar tanimë nga përgjegjësia penale nga Gjykata e Apelit edhe pse Gjykata Themelore e kishte dënuar. E kemi rastin e (kryetarit të) Klinës (Zenun Elezajt) i cili është dënuar para disa ditëve me dënim me gjobë prej 4 mijë eurosh dhe kemi rastin e Pal Lekajt (ish-kryetar i Gjakovës) i cili edhe ai është liruar nga përgjegjësia penale”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se në rastin e Ukë Rugovës, gjykata po ndikon që rasti të shtyhet për një kohë të gjatë, ndërsa theksoi se rezultate të vogla janë arritur në aspektin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme.

“Nëse marrim rastin e Ukë Rugovës, ku hyjnë veprat penale të krimit të organizuar, flasim për një rast që ka filluar me vite të tëra më herët dhe me mosveprim mund të themi lirisht që gjykata po ndikon që ky rast të shtyhet të rishtyhet dhe në njëfarë të prolongohet për një kohë shumë të gjatë. Nëse marrim për bazë konfiskimin e pasurisë të fituar përmes veprave penale të krimit të organizuar ose korrupsionit edhe këtu mund të themi se Kosova ka pasur regres, nuk është që është shquar ndonjë rast i madh ku është konfiskuar pasuri e cila është si rezultat i aktgjykimeve dënuese nga gjykatat”, u shpreh Miftaraj.

Rreze Hoxha-Zhuja, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se në vitin 2021 nuk është shënuar asnjë progres në sistemin e drejtësisë, ndërsa problemet e njëjta do të trashëgohen edhe këtë vit.

“Nuk ka pasur progres fatkeqësisht dhe që të njëjtat probleme ekzistuese deri më tani vazhdojnë të mbeten dhe po na përcjellin edhe në vitin 2022. […] E kemi vetëm një rast të pastrimit të parave ku është marr aktgjykimi, ndërsa rastet e tjera vazhdojnë të përcillen ndër vite. Përpos këtyre, problemet ekzistuese janë mungesa e caktimit të seancave, e mbajtjes së seancave, gjë e cila ndikon pastaj në rritje dhe tejzgjatjen e rasteve që ndikon drejtpërdrejtë në të drejtën për gjykim të drejtë. Pastaj, i kemi aktgjykimet e paarsyetuara mirë, pastaj i kemi aktakuzat e dobëta të cilat janë të destinuara për të dështuar”, tha ajo.

Hulumtuesja e GLPS-së shprehet se vetë fakti që po neglizhohen lëndët dhe nuk po trajtohen si duhet, tregon se sistemi ka probleme me korrupsion dhe mungesë të profesionalizmit.

“Fatkeqësisht gjatë këtij viti kemi pasur një numër të madh të rasteve që janë neglizhuar dhe sistemi nuk ka qenë aspak efikas në adresimin e problemeve dhe në krijimin dhe dhënien e drejtësisë. Njëkohësisht duhet përmendur që edhe nuk kemi vendime përfundimtare të gjykatës të cilat cilësojnë që një gjyqtar ose prokuror ka shkelur Kodin penal apo detyrën zyrtare. Andaj nuk mund të themi me siguri të plotë që sistemi është i korruptuar por fakti se kemi raste të shumta në të cilat trajtimi i rasteve bëhet në anë mënyrë ku rasti krijohet për të dështuar atëherë kjo lë shumë hapësirë se në atë sistem ka probleme, qoftë probleme të korrupsionit, qoftë mungesës së profesionalizmit, por edhe të mungesës së vullnetit për të kryer punën”, vijoi ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pajtohet me kritikat e organizatave që monitorojnë punën e institucioneve të drejtësisë. Ajo thotë se brengë e madhe mbetet mosveprimi ndaj rasteve të profilit të lartë dhe stërzgjatja e lëndëve pranë institucioneve të drejtësisë.

“Interferimet nga jashtë qoftë nga individë, qoftë nga grupet e interesit, qoftë nga politikanë apo pushtete të ndryshme janë të papranueshme dhe janë shumë të shprehura në sistemin e drejtësisë. Mosveprimi ndaj rasteve të profileve të larta, si krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk është gjë tjetër, ose përveç tjerash, dëshmon se këtyre personave iu intereson emri përveçëm i personit që hetohet apo gjykohet sesa vepra që ka bërë e do të duhej të ishte e kundërta”, u shpreh ajo.

Në mesin e muajit dhjetor Misioni i EULEX-it në Kosovë ka prezantuar raportin e dytë publik të Monitorimit Sistemik dhe Tematik në Drejtësi me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë, sipas të cilit sistemi gjyqësor në Kosovë po aplikon paraburgimin në mënyrë sistematike dhe pa arsyetim, ndërsa brengë për sistemin i konsideroi seancat joproduktive dhe mungesën e progresit në trajtimin e rasteve të profilit të lartë./kp

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments