Bashkimi Evropian ka zgjeruar sanksionet në lidhje me aneksimin e gadishullit të Krimesë nga Rusia.
“Masa kufizuese janë vendosur për tetë individë të tjerë, për mbështetjen aktive të veprimeve dhe zbatimin e politikave që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, njoftoi Këshilli Evropian.
Kështu, në lidhje me integritetin territorial të Ukrainës, tashmë janë ngrirë asetet e 185 individëve dhe 48 njësive.
Atyre i është ndaluar, gjithashtu, udhëtimi në BE. Përveç kësaj, BE-ja ka vendosur edhe sanksione ekonomike ndaj Rusisë.
Masat e fundit drejtohen kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të sigurisë, që zbatojnë ligjin rus në Krime dhe qytetin Sevastopol.